Historia e Klubit



Futbolli në Kosovë ka filluar të luhet dhe zhvillohet që në vitin 1919, pak kohë pasi kishte përfunduar Lufta e Parë Botërore. Shumë ushtarë e oficerë të demobilizuar si dhe studentë që studionin në Universitetet e Francës, Zvicrës, Italisë, Austrisë, Anglisë, Bukureshtit, Budapestit e gjetiu, nisën të ktheheshin në vendet e tyre. Kështu, një student i Kolegjit Samerslen të Grenoblit (Francë) e solli topin e parë të futbollit në Prishtinë në vitin 1919. Këtë dhuratë ai e kishte nga një mjek prej nga vinte.

Pas ardhjes së topit të parë në Prishtinë dhe Kosovës, pas tij filluan të vraponin kryesisht të rinjtë, por nuk kishte mënyrë të organizuar të lojës.

Në atë kohë zhvilloheshin vetëm ndeshje miqësore. Qyteti i Prishtinës ishte vetëm një qytezë me 16.000 banorë kur me 1922 u formua klubi i parë, i kaltër, i quajtur "Kosova".
Ishte ky një klub që atëbotë përbëhej nga ushtarë të Garnizonit të Prishtinës dhe nuk zhvillonte ndeshje zyrtare ngase nuk ishte i regjistruar, por në formacionin e tij vazhdimisht luanin futbollistë cilësorë të ushtrisë së Garnizonit të Prishtinës. 

Klubi më i vjetër i Kosovës nuk garonte në nivele zyrtare, por zhvillonte ndeshje miqësore me skuadrat tjera, ndërkohë të formuara nga vendi dhe nga Maqedonia.

Më 1926 në Prishtinë u formua edhe klubi i futbollit "Bashkimi", që tubonte kryesisht rininë zejtare. Ky klub materialisht qe shumë më i konsoliduar sesa "Kosova". Kjo skuadër përfitoi nga rasti dhe u regjistrua në Nënlidhjen e futbollit të Banovinës së Shkupit. Për nivelin e garave nuk ka asnjë të dhënë.

Edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore futbolli u luajt me të madhe. Kështu, në vitin 1945, "Bashkimi" i Prishtinës në konkurrencë me klubet e Mitrovicës, Pejës, Prizrenit, Gjakovës e Gjilanit fitoi titullin e Kampionit. Këtë sukses prishtinasit e përsëritën edhe një vit më vonë. Ndeshjet u zhvilluan në sistem kupe.

Pas Luftës së Dytë Botërore, vazhduan të ekzistonin "Bashkimi" dhe "Kosova" derisa ndërkohë u formuan edhe disa klube tjera, si “Milicioneri”, “Bratsvo”, dhe “Radniçki”, ku këto ekipe tubonin shumë lojtarë, kryesisht ata lojtarë që nuk kishin vend në KF Bashkimi dhe KF Kosova.

Prej vitit 1947, Bashkimi dhe Kosova u fuzionuan në një klub, të pagëzuar me emrin "Proleter". Proleterit ky bashkim i solli shumë rezultate dhe nuk ishte ekip dosido, kurse suksesi më i madh i kohës ishe plasmani në 1/8 e finales së Kupës së shtetit të atëhershëm të RSFJ-s, ku në Beograd është mposhtur nga Partizani 2:0.

Në skuadër tani luanin një plejadë e lojtarëve të papërsëritshëm për atë kohë të cilët përbëheshin nga futbollistë të qytetit të Prishtinës, por edhe futbollistët e ardhur nga Prizreni, pasi që me ndërrimin e kryeqendrës nga Prizreni në Prishtinë bartet  komplet edhe administrata shoqërorë-politike e asaj kohe. Ata lojtarë ishin ish-ushtarë të Luftës Nacional Çlirimtare - pas luftës punëtorë në administratë, por edhe futbollistë të mrekullueshëm të kohës. Më vonë këta ish-futbollist bëhen njerëzit kyç të politikës, elitës kulturorë-shoqërore dhe i prijnë vendit për vite me radhë.


Ndërkohë, në sezonin 1948/49 prapë klubi ndërron emrin. Shoqëria sportive, e quajtur kësisoj në atë kohë, merr emrin në "Jedinstvo" nga ajo “Proleter”.

Në vitin 1951, mu aty ku gjendet stadiumi i sotëm i "Prishtinës", filloi ndërtimi i fushës së futbollit, e që nga 17 maji i vitit 1953 stadiumi është në shërbim të klubit.

Në vitin 1951 vjen edhe të një fuzionim tjetër i klubeve në Prishtinë.  “Jedinstvo” që qëndronte shumë fortë ekonomikisht, por edhe nga ana e organizimit, “Bratstvo” e Prishtinës dhe “Zhelezniçari” i Fushë-Kosovës, dy klube dobët të organizuara e sidomos dobët ishin nga aspekti ekonomik, dhe skuadra e “re” prapë merr emrin "Kosova". Shumë shpejt ky klub merr pozitën prijëse në futbollin e Kosovës. Po atë vit, 1951/52, u shpall Kampion i Kosovës. Edhe në sezonin 1953/54, KF “Kosova” ishte Kampione e Kosovës.

Me 15 korrik, të vitit 1956, Kosova ndërron emrin përfundimisht në KF Prishtina, emër që mban edhe sot, e po ashtu edhe në atë stinor (1956/57) ishte shpallur Kampione e Kosovës dhe ishte ngritur në rang më të lart garash.
 
Që një skuadër e Kosovës të luante në Ligën e Parë ose të Dytë Federative të ish-Jugosllavisë nuk ishte punë e lehtë. Sistemi i garave ishte i tillë që ua vështirësonte kualifikimin skuadrave kosovare, duke i detyruar që të luanin disa ndeshje barazhi me skuadra të republikave tjera.


Në sezonin 1960/61, KF Prishtina luante në një ligë që atëherë quhej Liga Kosovaro-Maqedone. Në këtë ligë ajo shkatërroi gjithçka para vetes dhe tani duhej ta luante edhe një lojë kualifikuese me “Slloga”-n e Kralevës (Serbi), për t'u inkuadruar në Ligën e Dytë.
Në ndeshjen e parë Prishtina si vendase triumfoi 1:0, ndërsa me 27 korrik të po atij viti (1961) u luajt loja e kthimit në Kralevë dhe Prishtina kishte demoluar skuadrën vendase 1:7 dhe për herë të parë në historinë e saj ishte inkuadruar në Ligën e dytë federative, ligë e formuar në vitin 1960. Skuadrën kishte prirë trajneri vendor, Sllavko Staniq – Firga.

Prishtina suksesshëm kishte garuar në Ligën e dytë të atëhershme federative deri në sezonin 1971/72, kur ishte shpallur nënkampione e Ligës dhe kishte marrë pjesë në kualifikime për Ligën e parë federative.

Prishtina ndeshjen e parë e kishte zhvilluar në fushën e saj kundër Buduçnostit të Podgoricës (Mali i Zi) 2:2, për tu mposhtur në ndeshjen e kthimit në Podgoricë, 1:0.

Nuk ishte ky fundi i ëndrrave për bardhekaltrit. Edhe në sezonin tjetër, 1972/73, Prishtina sërish kishte dal nënkampione dhe sërish iu ishte nënshtruar kualifikimeve. Kësaj here ndeshjen e parë e kishte zhvilluar jashtë terrenit të saj, në Osijek (Kroaci) kundër skuadrës homonime dhe ishte mposhtur me rezultat minimal, 1:0. Ishte ky rezultat shpresëdhënës dhe ekzistonin të gjitha parakushtet që skuadra shumë e fortë e Prishtinës në ndeshjen e dytë në fushën e saj ta siguronte edhe rundin final drejt ëndrrës së Ligës së parë. Por, në ndeshjen e dytë kishte ndodhur ajo që askush se kishte pritur dhe se kishte imagjinuar. Prishtina kishte pësuar në një ndeshje të përfolur me muaj pas saj, 1:2 dhe përfundimisht ishte zhdukur edhe ëndrra e kamotshme.


Pas kësaj fillon ndërrimi i gjeneratës së skuadrës dhe klubi bie në pikën më të ulët gjatë historisë së saj.
Së pari në sezonin 1973/74 përfundon e treta, tetë pikë më pak se sa vendi që qonte sërish në kualifikime. Në sezonin 1974/75 përfundon e 10-ta dhe në sezonin 1975/76 bie nga rangu federativ në atë krahinor të Kosovës (Liga e tretë e atëhershme). Ishte kjo pika më e ulët e skuadrës pas Luftës së Dytë Botërore. Pas një viti garash në nivel të Kosovës (1976/77) , skuadra shpallet kampione e Ligës (Krahinore) dhe sërish ngjitet në Ligën e dytë federative (1977/78). Por, sërish pëson fiasko dhe sërish bie në Ligën (Krahinore) e Kosovës.

Tani klubi fillon dhe organizohet në mënyrë të duhur dhe profesionale. Në krye të saj vendosen personalitete eminente të shoqërisë së atëhershme të Prishtinës dhe Kosovës dhe skuadra ngadalë fillon të këndellet dhe sërish të marrë pamjen e një skuadre të madhe.

Pa ndonjë problem shpallet kampione e Ligës së Kosovës (1978/79) dhe fuqishëm kthehet në Ligën e dytë federative.
Skuadra fillon të grumbulloj talent nga mbarë Kosova, dhe deri sa udhëheqja e klubit ishte konstituuar si ishte më së miri, njëjtë u veprua edhe në prurjen e strategëve të futbollit në skuadër.
Në klub vije strategu i cili ka merita të mëdha në formimin e të ashtuquajturës “gjeneratë e artë”, Ilija Dimovski (tetor 1979 – shkurt 1981), i cili arrin ta stabilizoj skuadrën në Ligën e dytë dhe që në sezonin e tij të parë (1979/80) zë vendin e 6-të dhe vetëm katër pikë e ndanin nga Liga e parë.

Prishtina tani më ishte stabilizuar dhe ishte krijuar një skuadër e frikshme dhe vetëm pritej shpërthimi i saj. Sezoni 1980/01 ishte i zorshëm si për Prishtinën, si për mbarë popullatën e Kosovës për shkak situatës politike që ishte krijuar. Nga muaji mars (1981), Dimovskin do ta zëvendësoj një trajner tjetër, hungarezi nga Vojvodina, Bella Pallfi (mars 1981 – korrik 1983), i cili ka merita shumë të mëdha për kualifikimin e skuadrës në elitë dhe krijimit të një skuadre të madhe.

Skuadra në këtë sezon ishte detyruar që pothuajse tërë stinorin pranveror ta zhvillojë jashtë qytetit (në Kragujevc, Serbi) për shkak ndalimit të aktivitetit sportiv në Kosovë dhe ia kishte dalë pa ndonjë problem të renditet në mesin e tabelës.

Prishtina me Pallfin, në sezonin 1981/82 përfundon në vendin e 8-të. Në sezonin 1982/83, skuadra bardhekaltër më në fund kishte filluar të krijojë historinë dhe pas 60 vjetëve të krijimit të saj, dhe pas 20 viteve përpëlitje në Ligën e dytë, më në fund ishte krijuar një gjeneratë, e quajtur e artë, që shkelte gjithçka para vetës, që kishte kryesi të jashtëzakonshme dhe me armatë tifozësh me mesatare prej 30.000 për ndeshje.

Më s’kishte qe ndalte skuadrën nga kryeqendra kosovare dhe jo vetëm kaq, kjo skuadër ishte bërë aq e madhe sa tani një Jugosllavi 22.000 milionëshe ia kishte frikën dhe e zgjonte respekt për të.
Prishtina pas hyrjes në Ligën e parë Federative ka garuar për pesë sezone rresht në të. Në vitin e parë të saj në elitë, ka luajtur edhe në Kupën e Evropës së Mesme ku ka zënë vendin e dytë në mesin e katër skuadrave.

Po në këtë vit, dy lojtarë të Prishtinës, në të njëjtën ndeshje, debutojnë për Reprezentacionin e atëhershëm të Jugosllavisë, sulmuesit: Fadil Vokrri dhe Zoran Batroviq. Për Batroviqin kjo kishte mbetur paraqitja e vetme, ndërsa Vokrri kishte vazhduar ti mbronte edhe më tutje ngjyrat e shtetit që nuk ekziston më. Kjo i bënte nder Prishtinës dhe e ngrite në mesin e skuadrave më të mëdha të vendit.

Ndërsa, Prishtinën në pesë vite gara në Ligën e parë e kishin udhëhequr emra të njohur të futbollit jugosllav. Fuad Muzuroviq kishte qenë trajneri i parë i Prishtinës që kishte udhëhequr skuadrën në nivelin më të lart të vendit, që kishte ligën ndër katër-pesë më të fortat në Evropë. Muzuroviqi, më vonë seleksionues i Bosnjës dhe Hercegovinës, kishte udhëhequr skuadrën nga muaji korrik i vitit 1983 deri po të njëjtën kohë të vitit 1984. Pastaj sërish ishte kthyer, po në muajin korrik, të vitit 1985 dhe i kishte prirë kryeqytetasve nga Prishtina deri në muajin gusht të vitit 1986.

Pas Muzurit, bankinën e kishte marrë strategu tjetër i madh i ish-Jugosllavisë, Vukashin Vishnjevac, i cili megjithatë s’kishte qenë aq i dashur për disa lojtarë kyç të skuadrës, si kishte bërë ballë presionit dhe aventura e tij në Prishtinë kishte marrë fund në muajin nëntor të vitit 1984.

Më pastaj mjaft suksesshëm për tre muaj skuadrën e kishte udhëhequr trajneri shqiptar, Ajet Shosholli. Shosholli deri në atë kohë kishte qenë vetëm trajneri i dytë shqiptar, pas Mensur Bajramit (janar ‘77– prill ‘77), që i kishte prirë skuadrës.

Ndërkohë pozita në tabelë kishte qenë e rënduar dhe prijësit e klubit kishin qenë të detyruar të gjenin trajner me nam dhe zgjidhja ishte te Mirosllav “Qira” Bllazheviq. Qira që më vonë me Përfaqësuesen kroate arrin vendin e tretë në “Franca ‘98”, i kontribuon meritat e mbetjes së klubit në Ligën e parë. Qira kishte qëndruar vetëm për dy muaj, kohë që kishte mjaftuar që ai të mbetet njëri ndër të pa harruarit e asaj kohe.

Prishtina vazhdon edhe tre sezone tjera në grumbullin e më të mirave dhe në radhët e saj gravitojnë edhe dy strategët tjerë të njohur të kohës, Millovan Gjoriq (tetor 1986 – shtator 1987) dhe Josip Duvançiq (shtator 1987 – qershor 1988) me të cilin edhe përfundimisht Prishtina bije nga liga.

Skuadrën e kishin lëshuar disa nga yjet e saj, disa tani ishin pensionuar, ndërsa situata e tensionuar politike dhe rënia e interesimit të strukturave politiko-shoqërore të Kosovës kishin bërë që Prishtina mos të mund të qëndronte më në Ligën e parë federative.

Me rënien nga Liga, Prishtina grumbullon gjeneratën tjetër të talentuarish nga Kosova të cilëve së pari iu prin emër tjetër i njohur i futbollit ish-jugosllav, Milladin Zhivadinoviq (korrik 1988 – mars 1989). Në sezonin e parë nga rënia (1988/89) Prishtina luante me minus 6 pikë dhe sërish luftonte dhe arrinte rezultate kulminante, por s’ia kishte dalë të ngjitej sërish në elitë.

Sezoni i fundit i rregullt në Ligën e dytë ishte ajo e sezonit 1989/90. Skuadrës tani i prin trajneri tjetër shqiptar, i treti me radhë, Hysni Maxhuni. Prishtina kishte ekip për mrekulli dhe deri në fund të kampionatit kishte luftuar, por në fund ishte politika shoviniste serbe që ua kishte mohuar këtë qëllim dhe skuadra përfundimisht kishte humbur ëndrrën për rikthim.

Viti i fundit në futbollin jugosllav ishte ai sezonit 1990/91, ku skuadrës sërish i printe trajneri, Ajet Shosholli. Prishtina si vendase fitonte ndeshjet, ndërsa si mysafire humbiste të gjitha. Në fund mesi i tabelës ishte siguruar, por tani më Kosova ishte e okupuar dhe s’kishte kuptim as futbolli deri sa përfundimisht në vjeshtë të vitit 1991 uzurpohet edhe stadiumi dhe nga ai dëbohen të gjithë futbollistët shqiptarë.

Prishtina nuk dorëzohet, sërish konstituohet kryesia e klubit dhe në rrethana të jashtëzakonshme i vazhdon garat në fushat djerrina në periferi të qytetit (kryesisht, fshati Llukar).

Prishtina i rendiste sukseset edhe në Ligën paralele të pavarur kosovare ku skuadra garon nga sezoni 1991/92 deri më 1997/98, kur në Kosovë plas lufta.

Gjatë kësaj kohe, Prishtina fiton tre tituj kampioni (1991/92, 1995/96, 1996/97), dy Kupa të Republikës së Kosovës (1993/94 dhe 1994/95) dhe dy Superkupa të Kosovës (1994/95 dhe 1995/96).

Pas përfundimit të luftës, Prishtina vazhdon aktivitetin e saj normalisht dhe pas tetë viteve dëbimi kthehet në stadiumin e saj. Sukseset i vazhdon si më parë, nga sezoni 1999/00 – 2013/14,

Prishtina fiton shtatë tituj kampioni (1999/00, 2000/01, 2003/04, 2007/08, 2008/09, 2011/12 dhe 2012/13).

Fiton dy Kupë të Republikës së Kosovës (2005/06 dhe 2012/13)  dhe tre herë arrinë në finale të saj dhe i rrëmben gjashtë Superkupa të Kosovës (2000/01, 2003/04, 2005/06, 2007/08 dhe 2008/2009 dhe 2012/13).

FC Prishtina që nga 20 prilli i vitit 2006, është Shoqëri aksionare me përgjegjësi të kufizuara Sh.p.k dhe është ndër skuadrat e vetme të privatizuar nga të gjitha skuadrat tjera të ish-shtetit të Jugosllavisë dhe të rajonit të Ballkanit në përgjithësi.



TITUJTË KRAHINOR 1945-1991 (9)

-          1945

-          1946

-          1947/48

-          1951

-          1953/54

-          1958/59

-          1960/61

-          1976/77

-          1978/79


TITUJTË E SUPERLIGËS SË KOSOVËS 1991-2014 (10)

-          1991/92

-          1995/96

-          1996/97

-          1999/00

-          2000/01

-          2003/04

-          2007/08

-          2008/09

-          2011/12

-          2012/13


KUPAT E REPUBLIKËS SË KOSOVËS 1991-2014 (4)

-          1993/94

-          1994/95

-          2005/06

-          2012/13


SUPERKUPAT E REPUBLIKËS SË KOSOVËS 1991-2014 (8)

-          1994/95

-          1995/96

-          2000/01

-          2003/04

-          2005/06

-          2007/08

-          2008/09

-          2012/13

 

RANGU I GARAVE 1945 - 2014

-          1945 - 1955/56 Liga e I Krahinore (Rangu i tretë federativ)

-          1956/57 Liga Kosovare-Maqedonase (Rangu i tretë federativ)

-          1957/58 – 1960/61 Liga e I Krahinore (Rangu i tretë federativ)

-          1961/62 – 1975/76 Liga e II Federative (Rangu i dytë federativ)

-          1976/77 Liga e I Krahinore (Rangu i tretë federativ)

-          1977/78 Liga e II Federative (Rangu i dytë federativ)

-          1978/79 Liga e I Krahinore (Rangu i tretë federativ)

-          1979/80 – 1982/83 Liga e II Federative (Rangu i dytë federativ)

-          1983/84 – 1987/88 Liga e I Federative (Rangu i parë federativ)

-          1988/89 – 1990/91 Liga e II Federative (Rangu i dytë federativ)

-          1991/92 Liga e I Unike e Rep. së Kosovës (Rangu i parë)

-          1992/93 – 1995/96 Liga e I e Rep. së Kosovës – Grupi i Prishtinës (Rangu i I)

-          1996/97 – 1997/98 Liga e I Unike e Rep. së Kosovës (Rangu i parë)

-          1999/2000 – Superliga e Kosovës (Rangu i parë)


                                                                                                                                                                                                                    

  1945 – 2014 (67 Kampionate)

-          23 Liga e II Federative

-          21 Superliga e Kosovës (1991-2014)

-          17 Liga e I Krahinore

-          5 Liga e I Federative (1983 – 1988)

-          1 Liga Kosovare-Maqedonase (1956-57)

 

 

 

Burimi: Ish-gazeta e përditshme “Rilindja” - Prishtinë, Biblioteka Kombëtare Universitare e Kosovës - Prishtinë, Arkivi i Kosovës - Prishtinë

 

Autor: Avni Durmishi (E drejta e rezervuar)