- Besa – Prishtina 3:1
- Prishtina më e mirë se Hysi
- KEK-u – FC Prishtina 0:1
- 160 mijë € investime në stadiumin e Prishtinës
- Objektivi: Titujt
- Prishtina e dyta
- Hysi – Prishtina 1:2
- Prishtina – Liria 2:1
- Flamurtari – Prishtina 1:1
- Prishtina - Gjilani 1:0
- Vëllaznimi 2 - 1 Prishtina
- Arkivi Lajmeve

Fillim i Ri
FC Prishtina ka angazhuar dy futbollistë, ndërsa ka liruar 5 të tjerë, në vazhdën e përgatitjeve për stinorin pranveror.
Prishtinë, 26 janar – FC Prishtina është përforcuar me dy futbollistë të rinj para fillimit të stinorit pranveror, ndërsa nga klubi janë liruar pesë futbollistë. Këta e ka bërë të ditur, drejtori gjeneral i Prishtinës, Edmond Rugova, në një konferencë për media.
“Pas analizave profesionale morëm vendim që t’i lirojmë nga klubi Dardan Miftarin, Vebi Alievskin, Mensur Limanin, Ertan Hasan dhe Florim Humollin. Falënderoj të gjithë futbollistët dhe u uroj sukses në karrierën e tyre të mëtutjeshme. Një falënderim i veçantë për Florim Humollin, i cili për 16 vjet ka dhënë kontribut të madh në klubin e Prishtinës”, tha Rugova, i cili theksoi se një vendim të tillë e morën për shkak të formës jo të mirë këtyre futbollistëve dhe për t’ia hapur rrugën lojtarëve të rinj.
Ndërsa Rugova prezantoi edhe dy përforcimet - futbollistin amerikan, Haggai Leboo, i cili ka filluar stërvitjet me bardhekaltrit dhe Faton Zejnullahun, që u transferua nga rivali lokal, Flamurtari.
“Shpresoj që Leboo do ta ketë rastin t’i shpalosë vlerat e tij në
Prishtinë. Ai do t’i mbrojë ngjyrat e Prishtinës deri në fund të këtij sezoni, para se të vendosim për bashkëpunimin e mëtutjeshëm. Ndërsa Zejnullahu është një futbollist i njohur për opinionin, të cilin edhe e kam ftuar në përfaqësuesen e Kosovës, kur isha selektor i saj”, deklaroi drejtori gjeneral i Prishtinës, duke shtuar se gjatë muajit shkurt ekipit pritet t’i bashkëngjitet edhe një tjetër futbollist nga Amerika, Timm Heinneman.
Rugova njoftoi se Prishtina një pjesë të fazës përgatitore do ta zhvillojë jashtë vendit, respektivisht për dy javë do të përgatitet në Ulqin, ku edhe do të ketë rastin të luajë disa ndeshje miqësore.
Rugova, theksoi se Prishtina është dhe do të mbetet gjithmonë në garë për titull, pavarësisht se me çfarë situata ballafaqohet, qoftë me fondin e futbollistëve, qoftë me çështjet financiare apo renditjen tabelore.
Ndërsa trajneri Skënder Shengyli, është i vetëdijshëm se e pret një punë e vështirë për ta mbrojtur titullin e kampionit të Kosovës.
“Nga pozita aktuale me -9 pikë nga vendi i parë dhe për faktin se do të kemi një fond më të varfër të futbollistëve se në vjeshtë, do ta kemi shumë të vështirë të luftojmë për titull. Mirëpo shpresoj se me angazhimin edhe të ndonjë futbollisti do të angazhohemi maksimalisht deri në fund dhe lufta do të jetë e hapur”, tha Shengyli.
TË LUMTUR ME MIKPRITJEN
Të dy futbollistët e transferuar në Prishtinë janë shprehur të lumtur me mikpritjen në klub. Faton Zejnullahu thotë se ndihet shumë mirë tek kampioni aktual i Kosovës.“Më kanë pritur shumë mirë dhe më duket sikur jam në shtëpinë time”, tha Zejnullahu.
Ndërsa edhe Leboo është impresionuar nga mikpritja kosovare.
“Jam i impresionuar me kontaktet e para që kam pasur me njerëzit. Të gjithë janë të dashur dhe të shoqërueshëm. Mezi pres të luaj para tifozëve të Prishtinës”, theksoi Leboo.




shtypi
