Prishtina barazon me Flamurtarin


FC Prishtina barazoi 2:2 përballë Flamurtarit, në takimin e zhvilluar në kryeqytet.

Prishtinë, 11 nëntor – Në kuadër të xhiros së 17-të të Superligës së Kosovës në futboll, FC Prishtina barazoi përballë Flamurtarit me rezultat 2:2.

Bardhekaltrit kaluan në epërsi të parët në minutën e 29-të të takimit, me golin e realizuar nga Astrit Fazliu. Ndërsa tre minuta para përfundimit të pjesës së parë, sulmuesi i Flamurtarit, Malësor Gjonbalaj barazoi rezultatin.

Futbollistët e Prishtinës sërish kaluan në avantazh kur po zhvillohej minuta e 65-të e takimit. Behar Maliqi shfrytëzoi një gabim të portierit të mysafirëve, për të realizuar golin e dytë të Prishtinës.

Dhe kur të gjithë prisnin përfundimit e ndeshjes, Alban Ugzmajli u bë hero i Flamurtarit duke shënuar golin e barazimit.

Trajneri i Prishtinës, Skënder Shengyli thotë se fitorja u ka ikur nga duart.   

“Kemi pasur disa raste të mira si në pjesën e parë, ashtu edhe në të dytën, por nuk arritëm t’i konkretizojmë. Kur nuk shënon është normale që edhe pëson. Fitorja na rrëshqiti nga duart dhe për Flamurtarin kjo është një pikë e madhe”, tha Shengyli pas përfundimit të ndeshjes.